Lufta kundër korrupsionit

Në vitin 2012, Shqipëria zbriti 18 vende në renditjen e Indeksit të Korrupsionit të organizatës prestigjoze Transparency International, duke u klasifikuar si vendi më i korruptuar në Evropë.

Qeveria e re ka vullnet të palëkundur politik për luftimin e korrupsionit si një nga plagët më të thella që bjerr mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë dhe e ndan atë dukshëm nga vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria jonë do të intensifikojë ndjeshëm luftën kundër korrupsionit, duke çmontuar murin e paprekshmërisë e pandëshkueshmërisë. Qasja e qeverisë sonë në luftën kundër korrupsionit do të përqendrohet tre drejtime: parandalim, ndërgjegjësim dhe ndëshkim.

Parandalimi. Qeveria dhe mazhoranca e re:

(i) do të kalojnë në sitë të gjithë legjislacionin ekzistues dhe do të propozojnë nisma ligjore për mënjanimin sa më të madh të mundësive për t’u angazhuar në praktika korruptive në sektorin publik dhe privat, në përputhje me standardet e BE-së dhe instrumenteve ndërkombëtare (si GRECO, OECD, UNCAC);

(ii) do të hartojnë politika shtetërore dhe do të zbatojnë masa konkrete, duke përfshirë ato që lidhen me përmirësimin dhe zgjerimin e sistemeve të qeverisjes elektronike, si dhe përmirësimin drastik të shërbimit ndaj qytetarit në të gjithë sektorët e shërbimeve publike, të cilat miniminizojnë motivet dhe mundësitë e zyrtarëve publikë dhe të qytetarëve për t’u angazhuar në korrupsion;

(iii) do të hartojnë Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit brenda vitit të parë të qeverisjes dhe do ta zbatojnë me efektivitet atë në vitet në vijim;

(iv) do të zbatojnë me përkushtim legjislacionin dhe do të ndërmarrin nisma të reja lidhur me publikimin e dokumentave zyrtare dhe transparencën në procedurat administrative.

Ndërgjegjësimi. Qeveria:

(i) do të përfshijë në mënyrë të gjerë dhe të rëndësishme shoqërinë civile, sektorin privat dhe atë akademik në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e nismave ligjore, strategjive dhe programeve kundër korrupsionit;
(ii) do të ndërmarrë nisma ligjore dhe do të përkrahë zbatimin e masave që inkurajojnë njerëzit që denoncojnë korrupsionin;

(iii) do të ndërmarrë dhe përkrahë nisma për vetëdijësimin e qytetarëve dhe sidomos brezit të ri, lidhur me rolin dhe përgjegjësinë e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe mekanizmat për eliminimin e tij, duke përfshirë këtu punën përmes edukimit etik dhe qytetar në shkolla.

Ndëshkimi i praktikave korruptive dhe vënia përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit. Qeveria do të propozojë një reformim të thellë të sistemit të ndjekjes penale kundër korrupsionit dhe do të mbështesë fuqimisht partneritetin polici – prokurori në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, duke përfituar edhe nga ndihma teknike e partnerëve ndërkombëtarë në vënien në zbatim të praktikave më të mira për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Në katër vitet e ardhshme, qeveria do të punojë me përparësi për ta shndërruar sistemin gjyqësor, nga një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit, në një partner të fuqishëm, pa të cilin çdo iniciativë kundër korrupsionit do të ishte e destinuar të dështonte.

Reformimi i sistemit gjyqësor dhe vendosja në vend e dinjitetit të tij të cënuar do të nxitin angazhimin profesional të gjyqtarëve për t’i shërbyer bërjes drejtësi dhe për të shmangur praktikat e deritanishme korruptive. Kjo do të arrihet:

(i) duke mënjanuar çdo ndikim politik që ka shërbyer deri më sot për shkëmbime favoresh dhe influencash midis ekzekutivit dhe gjykatës;

(ii) duke i siguruar gjyqësorit kushte sigurie dhe pagese të një niveli të përshtatshëm për detyrën e tyre të lartë;

dhe

(iii) duke forcuar mbikëqyrjen institucionale të gjyqësorit, si me forcimin e instrumentave nga brenda vetë gjyqësorit, ashtu dhe të atyre nga jashtë tij (me theks të veçantë në deklarimin dhe hetimin e pasurive), duke mbajtur gjithnjë parasysh jo vetëm parimin e ndarjes së pushteteve, por edhe të balancimit ndërmjet tyre.

Për të siguruar zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe të angazhimeve tona për t’i kthyer një herë e mirë shpinën, korrupsionit në Shqipëri, si dhe nën shembullin e praktikave të mira të vendeve fqinje që janë bërë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian, qeveria dhe mazhoranca e re do të ngrejnë strukturën e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, që do të ketë mandat:

(i) për të propozuar nisma ligjore dhe institucionale me qëllim çrrënjosjen e korrupsionit nga radhët e administratës publike dhe të të gjithë segmenteve shtetërore që ofrojnë shërbim publik;
(ii) për të koordinuar, monitoruar dhe raportuar mbi zbatimin e politikave qeveritare dhe shtetërore kundër korrupsionit. Po ashtu, në çdo ministri qeveria e re do të angazhojë një drejtues të lartë si përgjegjës për koordinimin e punës, për zbatimin e legjislacionit dhe të programeve qeveritare për eliminimin e korrupsionit.

 

Dokumentet e bashkangjitur
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, shpalli për konsultim publik Raportin fillestar të Projektit STAR 2 “ Mbështetje për reformën(...) 16-05-2017