Postuar më: 19 Janar 2017

Ngrihet Këshilli Konsultativ i Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore

Për herë të parë në Shqipëri qeverisja qendrore do të jetë e detyruar të konsultohet me përfaqësues të qeverisjes vendore në lidhje me decentralizimin, financat vendore dhe funksionet e bashkive. Përmes Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore të dy nivelet e autoriteteve do të jenë në gjendje të shkëmbejnë dhe të diskutojnë politikat, ligjet apo nismat që ndikojnë tek qeverisja dhe komunitetet vendore.

Në aktivitetin e përurimit sot Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z.Bledi Çuçi e quajti Këshillin ‘një element kyç të reformimit të qeverisjes vendore dhe vendosjes së një klime bashkëpunimi real midis këtyre dy pushteteve në Shqipëri’. “Sot ne arrijmë që të ngremë një urë të re komunikimi midis nesh, një “agorë” të re ku ne të ballafaqojmë në mënyrë të civilizuar, konstruktive dhe  të strukturuar idetë tona, politikat dhe objektivat si dhe çdo çështje tjetër me interes për ecurinë dhe progresin e qeverisjes vendore, pavarësisht kampeve ku militojmë apo qëndrimeve të ndryshme”, tha Ministri Çuçi. 

Ambasadori zviceran Christoph Graf e quajti ngritjen e Këshillit Konsultativ ‘një gur kilometrik i rëndësishëm për demokracinë vendore në Shqipëri’. Ai theksoi rëndësinë e konsensusit dhe mirëkuptimit për një demokraci, duke përmendur shembullin e Zvicrës. “Dialogu është një instrument i fuqishëm për të arritur në zgjidhje solide dhe të qëndrueshme”, tha Ambasadori Graf.

Në ceremoni përshëndeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Andreas Kiefer. Të pranishëm në përurim ishin gjithashtu edhe Drejtorja e USAID për Shqipërinë Cate Johnson, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe përfaqësues nga shoqatat e qeverisjes vendore.

Takimi i parë i Këshillit Konsultativ u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, z.Bledi Çuçi. Anëtarët e këshillit vijnë nga të dy krahët e spektrit politik në Shqipëri.

Ngritja e këtij institucioni krijon kushtet për një realitet të ri të bashkëpunimit dhe forcimit të dialogut midis të dy niveleve të pushtetit duke u sanksionuar përmes një mekanizmi ligjor. Kjo pason një vendim të këshillit të ministrave të miratuar në 21 dhjetor 2016, dhe është gjithashtu një zbatim I drejtpërdrejtë i Kartës Evropiane për Vetë-Qeverisje Vendore duke e vënë Shqipërinë midis pak vendeve më të avancuara të Këshillit të Evropës me një institucion të tillë.

Këshilli Konsultativ mbështetet nga Këshilli i Evropës, Qeveria e Zvicrës dhe USAID.