Postuar më: 28 Mars 2017

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Z. Eduard Shalsi kryeson mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues të Projektit të Binjakëzimit Kundër Korrupsionit

Tiranë, 28 Mars 2017 Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore njëherësh Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit kryesoi sot mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues të Projektit të Binjakëzimit Kundër Korrupsionit ku morën pjesë përfaqësues të lartë nga institucionet qendrore e të pavarura publike Shqiptare si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit si dhe përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës dhe drejtuesit austriakë dhe gjermanë të projektit të binjakëzimit. Në këtë mbledhje u prezantuan rezultatet tremujore Dhjetor 2016- Shkurt 2017 si dhe sfidat e ardhshme për një zbatim sa më efektiv të tetë komponentëve të projektit (http://acalbania.eu/al/) .

Ministri Shalsi shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të mbështetur mbarëvajtjen e projektit si dhe nevojën për ndarjen e ekspertizës më të mirë dhe rasteve të suksesit nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në mekanizmat efektiv të luftës kundër korrupsionit dhe përmbushjes sa më shpejt të prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

 

Përmes Projektit të Binjakëzimit Kundër Korrupsionit zyra e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit si dhe katër institucionet e pavarura vendase të përmendura më sipër, po asistohen  nga institucionet homologe të dy shteteve anëtare të BE-së, Gjermanisë e Austrisë dhe përpjekjet e përbashkëta lidhen me  përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, si dhe vendosjen e mekanizmave për zbatimin e ligjeve të Sinjalizuesve dhe të Drejtës për Informim, përmirësimin e mbikëqyrjes efektive dhe kontrollin e financave të partive politike, si dhe regjimit të deklarimit dhe kontrollit të aseteve të zyrtarëve.

Projekti i realizuar falë mbështetjes së BE,  me një financim prej 3 milionë euro  sjell në Shqipëri 40 ekspertë gjermanë dhe austriakë të cilët asistojnë për një periudhë 30 mujore institucionet shqiptare.