Postuar më: 11 Maj 2017

Mbledhja e Dytë e Komitetit Drejtues të Projektit STAR2

U zhvillua të enjten datë 11 Maj 2017, mbledhja e dytë e Komitetit Drejtues të Projektit “Mbështetje për reformën territoriale-administrative, STAR2”. Mbledhja u drejtua nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Eduard Shalsi dhe kishte për qëllim prezantimin dhe diskutimin e raportit fillestar të detajuar të projektit tek grupi i donatorëve që financojnë projektin si Bashkimi Evropian, Suedia, Italia, Zvicra, Qeveria e SHBA, UNDP dhe Qeveria Shqiptare.

Me nismën e  Ministrit Shalsi, për shkak të rëndësisë së kësaj mbledhje dhe në kuadër të transparencës,  në këtë takim morën pjesë edhe partner të tjerë ndërkombëtarë që mbështesin decentralizimin dhe qeverisjen vendore në Shqipëri si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,  Këshilli i Evropës dhe OSBE.

Ministri Shalsi në rolin e tij si kryetar i Komitetit Drejtues falënderoi donatorët dhe partnerët për mbështetjen që i kanë dhënë Qeverisë Shqiptare në realizimin dhe implementimin e reformës territoriale si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.

Gjatë takimit, donatorët patën mundësi të diskutojnë dhe ngrenë pyetje lidhur me zbatimin e projektit i cili përqendrohet në forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale të njësive të qeverisjes vendore, rritjen e cilësisë, mbulimit dhe eficencës në ofrimin e shërbimeve vendore si dhe përforcimin e demokracisë vendore mes pjesëmarrjes aktive në vendimmarrje. STAR2 ka një kohëzgjatje zbatimi deri në fund të vitit 2019.