Postuar më: 20 Dhjetor 2016

BE mbështet Reformën Administrative Territoriale në Shqipëri, firmoset një marrëveshje e re

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri firmosi një marrëveshje financiare me vlerë 3.5 milionë Euro në mbështetje të konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale në Shqipëri.  Kontributi i Bashkimit Europian për projektin STAR 2 është pjesë e zgjerimit të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e qeverisjes vendore.

Marrëveshja u nënshkrua nga z.Yngve Engstroem, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri.

Ky financim do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore, rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve vendore dhe qeverisjes së mirë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Ndërhyrjet e STAR 2 do të kontribuojnë edhe në objektivin strategjik  të Shqipërisë atë të përparimit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Autoritetet lokale dhe rajonale janë vital për jetën demokratike të Bashkimit Europian dhe aktorë kyç në konceptimin dhe implementimin e politikave të përbashkëta europiane. Pritshmëria jonë është që ky kontribut i BE  të rezultojë me përmirësim të cilësisë së demokracisë vendore dhe të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”, tha Engström, në emër të Delegacionit të Bashkimit Europian, duke shtuar se “për decentralizimin e suksesshëm të kompetencave, qeveria duhet t’i sigurojë qeverisjes vendore burime të mjaftueshme financiare, të parashikueshme për qëllime planifikimi dhe transparencë në ndarjen e fondeve”.

Brian Williams, Përfaqësues i Përhershëm i PNUD në Shqipëri nënvizoi se “Ky është kontributi i fundit për këtë vit që do të thotë se të gjithë partnerët kanë kontribuar fondet e tyre. Jemi shumë të kënaqur që Bashkimi Europian i është bashkuar STAR 2 dhe mendojmë se është një “votë” besimi për këtë projekt dhe për këtë reformë”.

“Ndihemi  më të sigurt tashmë që Bashkimi Europian i bashkohet projektit STAR,  në momentin më të rëndësishëm të zbatimit të tij dhe ku BE do të  kontribuojë në një prej kompontentëve ndoshta më të rëndësishëm, trajnimin e vazhdueshëm të administratës vendore për funksionet e reja të transferuara si pasojë e decentralizimit”, theksoi z.Bledi Çuçi, Ministër i Shtetit për Çështjet Vendore, prezent në ceremoninë e nënshkrimit.

“Mbështjetje për Reformën Administrative Territoriale” (STAR) 2 ka mbështetjen e një numri të lartë partnerësh ndërkombëtarë përmes një mekanizmi të financimit të përbashkët.

Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë: Bashkimin Europian, Qeverinë e Suedisë përmes Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit, Qeverinë e Italisë përmes Agjencisë Italiane të Zhvillimit, Qeverinë e Zvicrës përmes Agjencisë Zvicerane të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit , Shtetet e Bashkuara, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe PNUD.