Postuar më: 27 Janar 2015

Prezantimi i gjetjeve të projektit "Vlerësimi i kornizës kundër korrupsionit në Shqipëri" - Fjala e Ministrit për Çështjet Vendore

E nderuar Ambasadore Vlahutin,

Të nderuar ambasadore, të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të hap dhe përshëndes këtë aktivitet i cili bashkëorganizohet me një prej partnerëve kryesore të Qeverisë shqiptare, Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së në Shqipëri. Mbështetja që ky institucion i ka dhënë dhe vazhdon t'i japi institucioneve shqiptare gjatë këtyre proceseve të vrullshme të rrugëtimit të Shqipërisë tek familja e madhe evropiane, është një vlerë e shtuar dhe e fortë.

Vlerësimi i kuadrit kundër korrupsionit në Shqipëri vjen në një moment kyc dhe të duhur, ndërkohë që në paralel po ndërmerren reforma të qënësishme si ajo në administratën publike, reforma e shërbimeve si dhe reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi, është një prej reformave themeltare e cila do të zhvillohet nga grupi i posacëm parlamentar, ku sfidë e madhe mbetet reformimi i tërë sistemit të drejtësisë, për ta kthyer në një sistem të drejtë e të pakorruptueshëm.

Objektiv jonë primar është pikë së pari të kthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe te rrisim shkallën e besimit tek puna konkrete e Qeverisë dhe hapat që po ndërmerren cdo ditë.

Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, qoftë përmes aksioneve parandaluese, masave ndërshkuese apo dhe aktiviteteve edukative. Statistikat e zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit vetëm për institucionet e ekzekutivit tregojnë për një numër jashtëzakonisht të madh zyrtarësh të referuar në organet e hetimit të cilët kanë kryer vepra korruptive. 535 të tillë, ndër të cilët një numër i madh zyrtarësh të lartë. Aksionet konkrete po ndërmerren ditë pas dite nga policia dhe institucionet e tjera. Proceset e hetimit dhe të gjykimit të rasteve të korrupsionit nuk duhet të stërzgjaten apo të mbyllen, duhet treguar një vullnet i plotë nga të gjitha hallkat institucionale për të bërë shembuj e përcjellë mesazhin se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri po jep fryte.

Në fillim e javës së ardhshme, ashtu sikundër premtuam gjatë forumit kombëtar kundër korrupsionit që u mbajt në dhjetorin e kaluar, do të prezantohet publikisht fushata më e madhe kundër korrupsionit, me qëllim rritjen e intensitetit të komunikimit e bashkëveprimit me qytetarët. Kjo fushatë përkthehet në një përgjegjësi më të madhe për institucionet publike për të trajtuar në kohë, në mënyrën e duhur e pa vonesa referimet e kryera për raste korrupsioni që vijnë nga qytetarët  por dhe për organet ligjzbatuese për të ndjekur me përparësi rastet e rryshfetit, pavarësisht vlerës së tij. Bërja shembuj duhet të jetë reflektim i punës së shumë aktorëve, jo vetëm i ekzekutivit. Rastet të cilat do të denoncohen në portalin unik do të raportohen në mënyrë periodike duke krijuar më shumë transparencë mbi hapat e ndërmarrë.

Ashtu sic dhe kanë konkluduar ekspertët në rekomandimet e tyre duket qartë se ka nevojë për të rishikuar strukturat tona e për të ngritur një trupë të specializuar dhe mirëkoordinuar në luftë kundër korrupsionit si modelet që ofron rajoni, psh modeli kroat apo ai rumun, modele të cilat do të mund t'i kemi në konsideratë në muajt në vazhdim.

Ndërveprimi institucional, jo për hir të asaj cfarë shkruhet në letër por një bashkëveprim të konsoliduar e që reflekohet në mënjanim ecejakesh e krijimin e pengesave të pafund institucionale duhet të jetë në kryefjala në përpjekjet tona për luftën e përbashkët kundër korrupsionit.

Në rolin tim si Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit inkurajoj të gjithë institucionet e përfshira në këtë vlerësim që rekomandimet e dhëna t'i shohin më përparësi, t'i përkrahin dhe t'i bëjnë pjesë e planeve të tyre të punës. Një numër të madh rekomandimesh ne ndërkaq i kemi bërë pjesë dhe reflektuar tek projekt Plani i Veprimit kundër Korrupsionit dhe po presim mendimin përfundimtar të institucioneve. Sigurisht që në mënyrë harmonike, rekomandimet më të spikatura do të bëhen pjesë e masave të udhërrëfyesit për prioritetin nr 3, atë të luftës kundër korrupsionit.

Së fundmi, dua të përshëndes punën e bërë nga skuadra e projektit "Vlerësimi i kornizës kundër korrupsionit në Shqipëri" për gjetjet dhe rekomandimet e bëra, puna nuk fillon as mbaron këtu. 2015 do të jetë një vit i vrullshëm veprimesh e realizimesh, pjesë e të cilave do të jenë dhe rekomandimet e këtij projekti.