Postuar më: 10 Dhjetor 2014

Forumi Kombëtar Kundër Korrupsionit - Fjala e Ministrit për Çështjet Vendore

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë, kolegë ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë,

Të nderuar përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe të medias,

Të nderuar zonja dhe zotërinj ambasadorë dhe përfaqësues të programeve ndërkombëtare në Shqipëri,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseadhjen dhe t’ju falenderoj që i kushtuat vëmendje dhe kohë të çmuar Forumit Kombëtar kundër Korrupsionit  të organizuar nga Qeveria nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit.

Ky Forum organizohet në bashkëpunim me OSBE, UNDP, dhe misionin e Komisionit Europian në Tiranë, të cilët i falenderoj shumë për përkrahjen.

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë dhe kolegët e mi ministra vijmë në këtë Forum për të dhënë llogari dhe për të ndarë me ju rezultatet e aksioneve konkrete që secili nga ne ka ndërmarrë në fushën përkatëse gjatë 16 muajve të fundit.

Lufta kundër korrupsionit mund të ketë sukses vetëm:

  1. nëse ka vullnet të fortë dhe të qendrueshëm politik për ta nxjerrë këtë të keqe jashtë sistemit të qeverisjes;
  2. nëse ngremë sisteme që i zënë korrupsionit shtigjet, përmes të cilave ai i zë frymën zhvillimit dhe sundimit të ligjit;
  3. nëse e ndëshkojmë ashpër e me tolerancë zero çdo veprim korruptiv; dhe
  4. nëse ndryshon kultura politike dhe qytetare duke e bërë korrupsionin të papranueshëm në marrëdhëniet shumëplanëshe mes qytetarit, biznesit dhe qeverisë.

Këta 16 muaj të parë të shumicës sonë qeverisëse janë pak, por edhe shumë për të matur përparimin në të katër këto drejtime. Janë shumë për të vlerësuar nëse po ecim në drejtimin e duhur dhe me ritmin e duhur për të parandaluar e luftuar korrupsionin, por janë pak për të parë rezultate me një spektër të gjerë në ndëshkimin e aferave korruptive dhe në ndryshimin e qendrimit të zyrtarit dhe qytetarit ndaj korrupsionit.

Në këta 16 muaj qeveria ka dëshmuar vullnet të qartë politik për ta bërë luftën kundër korrupsionit një aspekt prioritar të punës së saj në çdo fushë. Këtë vullnet politik për të hedhur hapa të sigurtë drejt çrrënjosjes së korrupsionit e vuri në dukje edhe Progres Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë, i cili e bazon këtë vlerësim pozitiv në krijimin e disa sistemeve që ngushtojnë mundësitë për korrupsion.   

Më lejoni të përmend vetëm disa ndërhyrje konkrete gjatë 16 muajve të kaluar:

  • Qeveria caktoi Kordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit në nivel të Ministrit të Shtetit dhe ne ngritëm një rrjet prej 70 zyrtarësh të lartë që shërbejnë si koordinatorë për luftën kundër korrupsionit në të gjitha institucionet qendrore, në institucionet e pavarura dhe në nivel të prefekturave;
  • Me pjesëmarrjen e shumë institucioneve qeveritare dhe në konsultim të gjerë me organizatat e shoqërisë civile e të medias, përgatitëm Ligjin për Informatorët për Korrupsionin (whistleblowers) dhe Planin Kombëtar të Veprimit kundër Korrupsionit. Ky Plan përcakton veprime konkrete për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe tregues konkretë për matjen e përparimit drejt arritjes së objektivave. Këtë plan presim ta miratojmë në fund të këtij muaji.
  • Bëmë ndryshime në dy ligjet bazë të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP) në zbatim të rekomandimeve të GRECO-s. Këto ndryshime përmirësojnë dukshëm regjimin e deklarimit dhe kontrollit të pasurisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri.
  • Nisëm punën për një reformë rrënjësore në ofrimin e shërbimeve publike, reformë, e cila do të zvoglojë në minimum hapësirat për veprime korruptive në këto shërbime, duke maksimalizuar, në të njëjtën kohë, efiçencën dhe transparencën në ofrimin e tyre. 

 

Vullnetin tonë politik dhe hapat e parë të sukseshëm në luftën kundër korrupsionit i dëshmon edhe fakti që gjatë këtyre 16 muajve, qeveria ka çuar për ndjekje penale për korrupsion 535 zyrtarë të nivelit të lartë, të mesëm dhe të ulët, si dhe ka dhënë masa administrative dhe disiplinore për 803 zyrtarë të tjerë. Për të bërë një krahasim, gjatë viteve 2009 – 2013 Departament kundër Korrupsionit në Kryeministri nuk bëri asnjë kallëzim të tillë.

Përparimin në rezultate në luftën kundër korrupsionit e dëshmoi edhe fakti që Shqipëria u ngrit 6 pikë në indeksin e korrupsionit të përllogaritur nga Transparency International. Por nuk jemi ende në pikën ku mund dhe duhet të gëzohemi shumë me këtë ndryshim.

Shumë dhe gjatë na duhet të përpiqemi e të përpiqemi jo thjesht si qeveri apo opozitë, si biznes apo qyetarë, por të gjithë si qytetarë të këtij vendi ku jetojmë e ku duam t’u sigurojmë fëmijëve tanë një jetë dinjitoze, për të bërë ndryshime radikale, të cilat do ta nxjerrin Shqipërinë nga ‘zona e turpit’ në rankimet lidhur me korrupsionin.

Shumë dhe gjatë na duhet të punojmë për të adresuar dështime të rënda në sistemin e drejtësisë lidhur me ndëshkimin e aferave korruptive. Këtë shqetësim e dëshmon edhe analiza e indeksit të korrupsionit të Transparency International: Nga shtatë studimet që përbëjnë bazën e Indeksit shihet qartë se Shqipëria vuan nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë civile dhe penale, si dhe nga dështime në procesin e drejtë gjyqësor. Ky trend negativ minimizon vlerën e arritjeve që vërehen në fusha si zhvillimi ekonomik apo reformat rregullatore.

Thënë shkurt e thjesht: nuk mund të ketë rezultate të thella e të qendrueshme në çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri pa një angazhim të sinqertë dhe serioz nga sistemi i drejtësisë në ndëshkimin e ashpër të veprimeve korruptive.  

Të nderuar pjesëmarrës,

Qeveria vjen në këtë Forum me përulësinë e dijes se pritshmëritë dhe padurimi i qytetarëve për të parë rezultate të shumta në çrrënjosjen korrupsionin janë të larta.

Ne vijmë, po ashtu, edhe me përkushtimin e plotë për t’u investuar me të gjitha energjitë dhe burimet që kemi në dispozicion, për ta çuar përpara luftën kundër korrupsionit në drejtimin e duhur dhe me ritëm të përshpejtuar.

Ju falenderoj edhe një herë për pjesëmarrjen dhe kam kënaqësinë t’ia jap fjalën z. Rauning, kreu i prezencës së OCBE-së në Shqipëri.