Postuar më: 31 Korrik 2014

Fjala e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore në Kuvend, me rastin e votimit të ligjit për ndarjen administrativo-territoriale

Fjala e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e votimit për organizimin e ri administrativo-territorial të Shqipërisë

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar kolegë, anëtarë të qeverisë,

Në një ditë si kjo e sotmja është ca vështirë t’i qendrosh larg emocionit. Sot Kuvendi i Shqipërisë do të marrë një vendim, i cili – thënë pa egzagjerime, pa patetizëm e pa shpërdorim të fjalës – do të hyjë në histori. Përpara jush është propozimi për një organizim të ri administrativo-territorial të Shqipërisë që krijon 61 njësi të reja të qeverisjes vendore, pra, që pakëson numrin e njësive vendore të nivelit të parë me 6 herë. Këto njësi do të mund të ofrojnë:

  • më shumë shërbime publike dhe shërbime më moderne dhe efikase për qytetarët;
  • më shumë investime publike,

si dhe

  • mundësi më të mëdha për zhvillimin ekonomik e shoqëror në çdo skaj të vendit.

Vendimi që Kuvendi i Shqipërisë do të marrë sot, do t’i japë fund katrahurës në ndarjen e 28,000 metrave katrorë në 373 njësi të qeverisjes vendore, 70% e të cilave kanë më pak se 5,000 banorë e nuk kanë asnjë mundësi që të ofrojnë ndonjë shërbim për qytetarët.  

 

Të nderuar deputetë,

Në më të shumtën e rasteve, reformat e sistemeve të organizimit të shtetit sjellin fitues, por dhe humbës. Ndërsa Reforma Administrativo-territoriale është ndër të paktat reforma shtetformëzuese, nga e cila përfitojnë të gjithë: çdo qytetar, çdo familje dhe çdo komunitet, pavarësisht nga vendi ku banon; si dhe çdo sipërmarrje apo organizatë joftimprurëse që vepron në nivel të qeverisjes vendore. Përmbledhur shkurt, krijimi i njësive më të mëdha të qeverisjes vendore do të sjellë këto përfitime kryesore:

  • Njësi më të mëdha të qeverisjes vendore krijojnë një ekonomi të shkallës, e cila do të bëjë të mundur që këto njësi të ofrojnë shërbime publike më të efektshme dhe me kosto më të ulta.
  • Njësi më të mëdha të qeverisjes vendore do të kenë më shumë asete, do të mbledhin më shumë të ardhura dhe, për pasojë, do të kenë në dispozicion më shumë burime financiare, por edhe njerëzore, për të investuar në shërbime dhe investime publike.
  • Njësi më të mëdha të qeverisjes vendore do të kenë më shumë kapacitet që të ushtrojnë një gamë më të madhe funksionesh. Kjo do të bëjë të mundur decentralizimin e më shumë kompetencave dhe shërbimeve nga qeverisja qendrore tek qeverisja vendore.
  • Njësi më të mëdha të qeverisjes vendore do të jenë më efektive në planifikimin dhe politikat për zhvillimin ekonomik, në mënyrë të veçantë lidhur me investimet publike;

dhe, së fundi,

  • Duke qenë se njësi më të mëdha të qeverisjes vendore mund të ushtrojnë më shumë funksione, qytetarët bëhen më të interesuar të marrin pjesë në proceset politike që lidhen me qeverisjen vendore. Ndaj, krijimi i njësive më të mëdha në këtë nivel të qeverisjes promovon demokracinë vendore.

Dhe tani dëshiroj të ofroj vetëm pak shembuj për të demonstruar konkretisht disa nga këto përfitime.  Ekspertë të pavarur kanë llogaritur se me organizimin e ri administrativo-territorial qe kemi propozuar, vetëm në qarkun Shkodër dhe Lezhë kostoja e menaxhimit të mbetjeve bie me 40%. Ndërsa krijimi i bashkisë së re të Pogradecit – e cila përfshin bashkinë aktuale Pogradec dhe 7 komuna -, do të sjellë uljen me 33% të shpenzimeve të personelit krahasur me nivelin e këtyre shpenzimeve në 8 njësitë aktuale të qeverisjes vendore. Do të ketë, po ashtu, edhe ulje të shpenzimeve operative pa prekur shërbimet aktuale. Kursimet e përftuara në këtë mënyrë do të çojnë në rritjen 2 herë të investimeve publike të kësaj njësie të re, si për frymë, ashtu dhe në vlerë absolute.

Analizat e ekspertëve tregojnë, po ashtu, se - në nivelin agregat - krijimi i njësive të reja e më të mëdha të qeverisjes vendore do të sjellë një përfitim nga 3 miliardë lekë deri në 6 miliardë në buxhetet e qeverive vendore, - kjo, për shkak të mundësive që krijohen për menaxhim më efikas të shpenzimeve të personelit dhe atyre operative. Këto fonde mbesin në buxhetet vendore të 61 njësive të reja dhe do të përdoren për investime, si dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve. Këtu nuk janë llogaritur efektet pozitive në mbledhjen e të ardhurave vendore si rezultat i rritjes së kapaciteteve njerëzore të bashkive të reja. Llogaritet se ky efekt i Reformës mund të çojë në një rritje prej 5 deri 10% të të ardhurave si pasojë e performancës më efikase fiskale të bashkive të reja.

Por përfitimet nga Reforma Administrativo-territoriale nuk ndalen këtu dhe nuk vinë veç nga organizimi i ri me 61 njësi të mëdha të qeverisjes vendore. Kjo Reformë është një hap i madh e strategjik në programin dhe punën e shumicës sonë qeverisëse për t’i dhënë frymëmarrje të re zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë, një frymëmarrje, përfitimet e së cilës përkthehen në jetë më të mirë, më të sigurtë dhe më të begatë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse ata jetojnë në Tiranë apo në Theth. Për këtë qëllim, qeveria e ndërmori Reformën Administrativo-territoriale paralel me nismën për të thelluar procesin e decentralizimit në Shqipëri, proces, përmes të cilit qeveritë vendore do të marrin më shumë kompetenca, por edhe më shumë burime për zhvillim në nivel vendor, ndërsa qytetarët do të kenë më shumë mundësi e më shumë peshë në vendim-marrje në nivel të qeverisjes vendore.

Reforma Administrativo-territoriale bashkëvepron, po ashtu, edhe me reformat e mëdha që ka ndërmarrë qeveria për modernizimin e shërbimeve publike - për t’i bërë ato më eficente, më transparente dhe më lehtësisht të aksesueshme nga qytetarët -, si dhe me reformat e mëdha në shërbimin shëndetësor, atë arsimor dhe atë të përkrahjes sociale. Këto reforma janë dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit të shumicës sonë qeverisëse për të çuar sa më shumë fonde dhe shërbime atje ku ato aksesohen më lehtë nga qytetarët – në nivel të qeverisjes vendore.

Është për këtë arsye që edhe në buxhetin e vitit të vështirë 2014, qeveria alokoi 10 miliardë lekë ose 2 miliardë lekë më shumë fonde për investime publike në qeveritë vendore krahasuar me fondet e alokuara për të njëjtin qëllim në vitin 2013 nga qeveria e opozitës së sotme. Reforma Administrativo-territoriale do të bëjë të mundur optimizimin e investimeve të tilla përmes zbatimit të projekteve më të mëdha e më komplekse publike në kuadër të njësive të reja të qeverisjes vendore. 

 

Të nderuar deputetë,

Me ndërmarrjen e Reformës Administrativo-territoriale, Shqipëri u bashkohet dhe mëson nga përvoja e shumë vendeve të tjera europiane, të cilat në dekadat e fundit kanë kaluar përmes një reforme të tillë - me zvogëlim të numrit të njësive të qeverisjes vendore. Përvoja e këtyre vendeve tregon se modernizimi i shtetit lidhet me trendin e zvogëlimit të numrit të njësive të qeverisjes vendore mbi bazën e parimit: njësi më të mëdha të qeverisjes vendore sjellin shërbime dhe investime publike më efikase dhe më cilësore.  Kështu, duke ndërmarrë një të tillë reformë, Danimarka ka tashmë 98 njësi të qeverisjes vendore nga 1500 që kishte para reformës. Suedia kaloi nga 2500 njësi të qeverisjes vendore në 290. Irlanda e reduktoi numrin e njësive të tilla në 31, ndërsa Kosova ka vetëm 38 njësi të qeverisjes vendore. Madje edhe Franca e shtetit të centralizuar, e cila nuk kishte ndërmarrë një reformë administrativo-territoriale që prej fillimit të shekullit XIX, është në procesin e zhvillimit të kësaj reforme, e cila do të eliminojë nivelin e provincës (department) që egziston që në kohën e Napolonit, e do ta zbresë numrin e rajoneve në 14.

 

Të nderuar deputetë,

Është zakon që falenderimet të bëhen në fund të një fjale, por unë do t’ia nis që këtu. Në emër të qeverisë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë qytetarët – gra e burra, të rinj e të moshuar, në zona urbane apo rurale -, anëtarët e drejtues të Parlamentit, kryetarët e bashkive dhe komunave, anëtarët e këshillave bashkiakë dhe të komunave, prefektët, përfaqësuesit e shoqërisë civile, të biznesit dhe të medias, si dhe ekspertët shqiptarë dhe të huaj që morën pjesë në çdo hap të konceptimit, diskutimit dhe vendim-marrjes për këtë Reformë. Së pari e mbi të gjitha, procesi i zhvillimit të Reformës Administrativo-territoriale ishte një ushtrim i madh në demokratizimin e vendim-marrjes në Shqipëri dhe për këtë çdo shqiptar duhet të ndihet krenar.

Kjo është një reformë që nuk u zhvillua pas dyersh të mbyllura, veç me ekspertë e me vendime të nxituara. Kjo është një reformë që u zhvillua në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë, me ligjet përkatëse në fuqi dhe me Kartën Europiane për Autonominë Vendore, si dhe me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme duke ofruar shumë mundësi për kontribut nga të gjitha forcat politike, institucionet e qeverisjes vendore dhe qendrore, grupet e interesit e qytetarët. Ndaj, më lejoni t’ju paraqes shkurtimisht procesin gjithëpërfshirës, përmes së cilit Parlamenti dhe qeveria përgatitën e zhvilluan këtë Reformë. 

  • Një muaj pasi filloi punën qeveria e re, organizuam Konferencën Kombëtare për Reformën Administrativo-territoriale dhe hartuam më pas Plani konkret të Punës për këtë Reformë.
  • Në vjeshtën e vitit të kaluar ngritëm Grupin e Punës për Reformën në nivel qendror dhe 12 Grupe të tilla Pune në nivel të qarkut. Caktuam edhe një Kordinator për Reformën në çdo qark për të angazhuar vazhdimisht komunitetin e institucionet vendore në çdo hap të Reformës.
  • Bashkëpunuam me partnerët ndërkombëtarë në ngritjen e Grupit të tyre Mbështetës për Reformën Administrativo-territoriale me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të agjencive ndërkombëtare dhe të programeve dypalëshe të ndihmës që përkrahin fuqizimin e qeverisjes vendore në Shqipëri. U konsultuam me këtë grup në mënyrë të vazhdueshme e konstruktive.
  • Në janar Kuvendi krijoi Komisionin e Përkohshëm për Reformën Administrativo- territoriale dhe i ofroi opozitës vendin e një bashkë-kryetari/kryetareje, si dhe të drejtën e vetos në këtë Komision. Ky Komision ka udhëhequr deri më sot të gjithë punën për zhvillimin e Reformës.
  • Në fund të shkurtit  Komisioni Parlamentar dhe qeveria propozuan kriteret themelore për zhvillimin e Reformës bazuar mbi ligjet në fuqi, si dhe mbi analizat e ekspertëve vendas e të huaj për zhvillimin ekonomik e shoqëror në nivel vendor dhe të historisë së komuniteteve që jetojnë në njësitë vendore përkatëse.
  • Gjatë muajve mars dhe prill zhvilluam 13 takime në Tiranë dhe në nivel të qarqeve ku u konsultuam për këto kritere me 1,218 zyrtarë të zgjedhur, përfaqësues dhe ekspertë të qeverisjes vendore e asaj qendrore, deputetë, përfaqësues të biznesit, të shoqërisë civile dhe të medias.
  • Në prill Komisioni i Përkohshëm Parlamentar për Reformën Administrativo- territoriale aprovoi kriteret për Reformën  dhe ekspertët filluan punën për propozimin e organizimit të ri administrativo-territorial të vendit. Kjo punë nisi me analizën e specializuar e shumëplanëshe të të dhënave e studimeve për zhvillimin ekonomik e shoqëror, si dhe të nevojave të komuniteteve për shërbime, qasje në arsim, shërbim shëndetësor, etj. dhe rezultoi në përgatitjen e pesë varjanteve për organizimin e ri administrativo-territorial të vendit, bazuar mbi konceptin e njësive zhvillimore funksionale.
  • Në maj u kërkuam mendim me shkrim çdo kryetari e kryetareje bashkie e komune e çdo këshilli bashkiak e komune dhe u lamë dy muaj në dispozicion që të japin mendim për hartën e re administrativo-territoriale të vendit. 393 kryetarë bashkish dhe komunash, si dhe këshilla  dërguan qëndrimet e sugjerimet e tyre në Komisionin e Përkohshëm Parlamentar për Reformën.
  • Vetë Komisioni organizoi dëgjesa publike me përfaqësues të qeverisjes vendore, të biznesit dhe shoqërisë civile, ekspertë vendas e të huaj, si dhe me përfaqësues të  agjencive ndërkombëtare dhe programeve dypalëshe të bashkëpunimit që mbështesin forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.
  • Në maj e qershor organizuam, më ndihmën e katër organizatave të pavarura të shoqërisë civile, 42 takime konsultative në 36 qytete të Shqipërisë. Në këto takime u paraqitën dhe u diskutuan dy varjantet e përzgjedhura nga Komisioni i Përkohshëm Parlamentar për Reformën – me 39 dhe 47 njësi të qeverisjes vendore -, si dhe analizat e njësive funksionale në zonën përkatëse.
  • Gjatë muajve qershor e korrik, një organizatë e pavarur dhe e respektuar profesionalisht, kreu një sondazh të opinionit publik duke iu kërkuar mendim 16,000 burrave dhe grave  në të gjithë vendin lidhur me propozimet konkrete për krijimin e njësisë respektive të qeverisjes vendore që përfshinte edhe zonën ku ata jetojnë. 67% e të intervistuarve thanë se janë dakord me ndarjen e propozuar.
  • Që nga shtatori e deri më sot, ndërmorëm një fushatë të vazhdueshme të informimit publik lidhur me procesin dhe përmbajtjen e Reformës:
    • informuan qytetarët dhe institucionet e interesuara përmes faqes së Internetit, në Facebook dhe llogarisë në Tëitter;
    • transmetuam drejtpërsëdrejti përmes faqes në Internet të 55 takimet për konsultime publike;
    • shpërndamë botime informative dhe përgatitëm e transmetuam spote radiofonike dhe televizive;

si dhe

  • informuam vazhdimisht publikun përmes mediave elektronike dhe shtypit mbi çdo aspekt të Reformës.

Përmes këtij procesi, të cilin ua paraqesim të dokumentuar në dosjen për Reformën, që përgatitëm për secilin prej jush, u konsultuam me 19,297 qytetarë, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes vendore e qendrore, sektorit privat dhe shoqërisë civile; gazetarë apo redaktorë të shtypit dhe mediave elektronike; përfaqësues të agjencive ndërkombëtare dhe të programeve dypalëshë të bashkëpunimit, si dhe ekspertë të huaj.

Duke marrë parasysh komentet dhe sugjerimet e dala përmes këtij proces mbarëkombëtar konsultimi, të pa precedentë në historinë politike të Shqipërisë demokratike,  Komisioni i Përkohshëm për Reformën në datë 17 korrik  miratoi propozimin për një organizmi të ri administrativo-territorial të Shqipërisë me 61 njësi të qeverisjes vendore.

 

Të nderuar deputetë,

Më lejoni të qartësoj këtu këtë çështje të rëndësishme për vendimin tuaj lidhur me organizimin e ri administrativo-territorial të vendit. Kriteri kryesor që udhëhoqi Reformën administrativo-territoriale është koncepti i “zonave funksionale”. Ky koncept ka në qendër ndërveprimin e qytetarit me territorin për qëllime ekonomike, sociale; marrëdhëniet e tij me institucionet, si dhe aksesin në shërbimet publike, ndërveprime këëto që cilat dalin përtej kufijve administrativë të njësive aktuale të qeverisjes vendore. Pikërisht, analizimi i këtyre ndërveprimeve solli në identifikimin e 61 njësive funksionale.

Të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore janë të organizuara rreth një qendre urbane që ka numrin më të lartë të popullsisë krahasuar me qendrat e tjera brenda zonës dhe ka mundësi të ofrojë gamën e plotë të shërbimeve publike që duhet të ofrojë një njësi vendore.

Njësitë e reja të qeverisjes vendore bazohen në zhvillimin policentrik të këtyre njësive, që presupozon se brenda tyre bashkë-ekzistojnë disa qendra zhvillimi përtej qendrës kryesore urbane, duke lejuar zhvillimin e integruar dhe harmonik të të gjitha qendrave brenda njësisë së madhe dhe duke zhbërë ndarjen aktuale artificiale të zonave urbane dhe atyre rurale. Për herë të parë përdoret një koncept shkencor zhvillimi në ndarjen administrativo-territoriale, e cila del përtej vizioneve të ngushta dhe aspak largpamëse të zhvillimit në njësitë e vogla aktuale.

Të nderuar deputetë,

Këtu është momenti për një tjetër falenderim. Në emër të qeverisë, dëshiroj, të falenderoj me gjithë zemër miqtë e çmuar të agjencive ndërkombëtare dhe të programeve dypalëshe, të cilët kanë mbështetur Reformën në çdo hap, me dashamirësi dhe me përkushtim. Pa ndihmën e tyre, nuk do të kishim mundur ta sillnim këtë Reformë këtu ku jemi e kështu siç jemi: me një propozim që u ndërtua me një konsultim të gjerë publik në të gjitha fazat e saj dhe u ngrit mbi ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. Ju shpreh mirënjohjen tonë Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD), Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim, Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Zyrës Italiane për Bashkëpunim. Falenderoj, po ashtu, për përkrahjen e ndihmën e tyre edhe Këshillin e Europës, misionin e OSBE-së në Shqipëri, delegacionin e BE-së në vendin tonë, si dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA).

Të nderuar deputetë,

Gjatë këtyre 11 muajve, shumica jonë qeverisëse ka krijuar të gjitha mundësitë dhe ka punuar me përkushtim të sinqertë që opozita të marrë pjesë në këtë reformë kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Gjatë tetë viteve në pushtet, opozita e sotme e ka pasur pjesë të programit kryerjen e Reformës Administrativo-territoriale, ndonëse nuk ndërmori nisma konkrete për realizimin e saj. Pavarësisht nga ky fakt, opozita mungoi pa asnjë arsye të qenësishme nga kjo nismë historike në të mirë të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe të zhvillimit ekonomik e shoqëror në nivel vendor. Por dera e bashkëpunimit me opozitën mbetet gjithnjë e hapur dhe ne mirëpresim kontributin e saj në të gjitha përgatitjet për vënien në jetë të organizimit të ri administrativo-territorial të Shqipërisë që do të fillojnë menjëherë pas vendimit të Kuvendit për këtë organizim.    

 

Të nderuar zonja e zotërinj deputetë,

Duke përfunduar, më lejoni të them se në duart tuaja është sot vendimi madhor për reformimin rrënjësor të organizimit administrativo-territorial të Shqipërisë.

Vota juaj pro është sot përmbushje e një prej premtimeve kryesore që shumica jonë qeverisëse u ka bërë qytetarëve më 23 qershor të vitit të kaluar.

Vota juaj pro është drita jeshile për mundësi më të mëdha për modernizim, siguri dhe përparim ekonomik, shoqëror e politik, nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët, familjet e komunitetet në Shqipëri.

Ndaj, ju ftoj t’ia hapni derën këtij ndryshimi madhor për bashkëqytetarët, të cilëve ju shërbeni në detyrën fisnike dhe unike, për të cilën ju kanë votuar!

 Ju faleminderit!