Postuar më: 25 Nëntor 2014

Fjala e Ministrit për Çështjet Vendore në nënshkrimin e kontratës me KPMG-në

Të nderuar donatorë, përfaqësues të kompanisë KPMG

Faleminderit për prezencën tuaj sot, një ditë e rëndësishme për reformën administrativo-territoriale në Shqipëri. Veçanërisht dëshiroj të përgëzoj procesin e përzgjedhjes së kompanisë KPMG si kompania mbështetëse në fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, faza e konsolidimit administrativ dhe financiar të 373 Njësive të Qeverisjes Vendore në 61 bashkitë e reja. Ky përgëzim i adresohet UNDP-së e cila në përmbushje te kërkësës tonë, u drejtua për mbështetje në kompanitë më të mëdha ndërkombëtare me përvoja të shumta në procese të ngjashme konsolidimi administrativ dhe financiar. Si rrjedhojë ne sot formalizojmë fillimin e fazës së bashkimit të njësive ekzistuse të qeverisjes vendore në 61 bashkitë e reja të krijuara. Ky përbën një nga proceset më ambicioze të ndërmarra ndonjëherë në fushën e shkrirjes së organizatave publike. Prandaj besoj që, falë edhe ndihmës së pakursyer të donatorëve që mbështesin STAR, kemi zgjedhur një ndër kompanitë më të mira në botë për të na ndihmuar në këtë proces mjaft sfidues.

Pas një faze të parë të reformës administrative-territoriale që u kurorëzua me miratimin e Ligjit 115/2014 në 31 korrik dhe që hyri në fuqi në 15 shtator të këtij viti, qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e reja vendore do të votojnë ne 61 bashki të reja. Për të plotësuar nevojat e menjëhershme që 61 bashkitë e reja do të kenë pas zgjedhjeve, KPMG me mbikqyrjen e projektit STAR do të ndërtojë një manual procedurash për t’u përdorur në çdo bashki menjëhere pas marrjes së mandatit nga administratat e reja.

Thelbësisht procedurat që do të përbëjnë Manualin do përqëndrohen tek rishikimi i funskionimit operacional të bashkive duke analizuar organigramat dhe duke eleminuar mbivendosjet me pikësynim krijimin e modeleve europiane qeverisëse. Gjithashtu ky manual do të përcaktojë mënyrën e bashkimit dhe konsolidimit të pasqyrave financiare të 373 njësive vendore aktuale në 61 bashkitë e reja me fokus te veçantë mirëmenaxhimin e aseteve qofshin këto në formë invenarësh, asetet fikse, subjektet në pronësi, pronat e paluajtshme etj. Si dhe pergjegjesitë që bashkitë e reja do te trashëgojnë ndaj palëve të treta.

Duke i uruar suksese në këtë detyrë, pritshmeria për kompaninë KPMG është që të jetë efikase me zgjidhjet që do të ofrojë, të jetë e shpejtë dhe mbi të gjitha e saktë. Qytetaret duhet që në një kohe sa më të  afërt  të kenë modelin më të mirë të qeverisjes vendore për t’u ofruar shërbimet që meritojnë. Sot nis faza e përkthimit të konceptit tonë në një realitet të prekshëm dhe për këtë kërkesa jonë ndaj kompanisë (KPMG) do të jetë e plotë dhe prishmëritë tona maksimale.