Postuar më: 14 Korrik 2014

Fjala e Ministrit për 300 ditët e para të qeverisjes

Në këto 300 ditë arritëm të kthejmë besimin e publikut tek institucionet e ekzekutivit me veprimet tona në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit përmes:

 

  • Ngritjes së kapaciteteve të rrjetit prej 70 koordinatorësh dhe pikash kontakti kundër korrupsionit në nivel qendror, në institucione të pavaruara dhe për herë të parë në nivel lokal.

 

  • Hartuam brenda vitit të parë të qeverisjes, Planin e Veprimit kundër Korrupsionit 2014-2017, një plan veprimi realist dhe i mirëkoordinuar me masa konkrete dhe të matshme, i cili shoqërua nga një proces gjithëpërfshirës konsultimesh me rreth 500 aktorë dhe grupe interesi, përfshi këtu dhe shoqërinë civile.

 

  • Rritëm forcën ndërshkuese ndaj fenomeneve të korrupsionit, në këto muaj organet e ekzekutivit kanë iniciuar kallëzime penale për vepra korrupsioni ndaj më shumë se 357 zyrtarëve, nga të cilët 25 janë zyrtarë të lartë, përfshi nivel ministri.

 

  • Inventarizuam dhe analizuam  praktikat e ndjekura nga institucionet për trajtimin e denoncimeve për rastet korruptive nga qytetarët dhe po finalizojmë procedurat e unifikuara për trajtimin e denoncimeve.

 

  • Finalizuam procesin e vetë-vlerësimit mbi zbatimin e Konventës të Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, një instrument shumë i rëndësishëm por dhe një proces i zvarritur prej vitit 2012.

 

Në 300 ditët që lamë pas, kemi arritur të kthejmë besimin e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë  tek qeveria shqiptare për të çrrënjosur korrupsionin, besim i cili u shpërblye me marrjen e statusit kandidat.

 

  • Brenda një kohe shumë të shkurtër, në bashkëpunim të ngushtë më BE-në, u përpilua dhe u vu në zbatim dokumenti i udhërrëfyesit për prioritetin e tretë, me fokus luftën kundër korrupsionit, me veprime të detajuara nga ana e organeve të ekzekutivit.

 

  • Në fund të korrikut, përmes asistencës së UNDP-së, do të kemi një sistem elektronik për mbledhjen e statistikave lidhur me korrupsionin, i cili integron të dhëna nga të gjitha institucionet, me synim mundësimin e gjurmimit të çështjeve të korrupsionit dhe analizimin e besueshëm e statistikave.

 

  • Përmes ndihmës dhe ekspertizës hollandeze, u hartua ligji mbi informatorët e rasteve të korrupsionit dhe mbrojtjen e tyre, një mekanizëm efektiv dhe parandalues i cili do t’i shërbejë nëpunësve shqiptarë për të qenë pjesë aktive e denoncimit të praktikave korruptive.

 

  • Në përputhje me rekomandimet e raundit të fundit të vlerësimit të Shqipërisë nga GRECO, kemi ndryshuar dhe përshtatur kornizën ligjore për të përmirësuar punën e ILDKPKI për deklarimin e saktë dhe kontrollin rigoroz të aseteve të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve, dhe sidomos të zyrtarëve me risk të madh për fshehje pasurie.

 

 

Ashtu siç ishte dhe premtimi ynë, në këto 300 ditë kemi realizuar reformën më të rëndësishme të qeverisë, reformën administrativo-territoriale e cila i ka munguar vendit prej 23 vitesh.

 

  • Kjo reformë gjeti mbështetjen dhe bashkëpunimin e gjerë të qytetarëve shqiptarë, të të gjithë faktorëve progresivë si dhe gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë, në veçanti të qeverisë amerikane, suedeze, zvicerane, italiane, si dhe organizatave si PNUD-it, OSBE-së dhe Këshilli i Evropës.

 

  • Angazhuam ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj me mbi 30 ekspertë dhe krijuam 12 grupe rajonale pune, ku analizuam në detaje situatën social-ekonomike të 373 bashkive dhe komunave ekzistuese.

 

  • Krijuam si rrallëherë, një sinergji bashkëpunuese Qeveri-Kuvend, të domosdoshme në realizimin e  kësaj reforme, duke punuar ngushtësisht me Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

 

Për të ardhur tek harta e re:

 

  • Hartuam kriteret objektive të ndarjes administrative-territoriale duke u bazuar për herë të parë në metodologjinë moderne të “zonave funskionale” duke propozuar  5 variante koherente të ndarjes së re administrative-territoriale të vendit.

 

  • Ndërtuam dhe mundësuam një proces gjithëpërfshirës dhe komunikimi transparent me publikun duke u konsultuar me rreth 6200 aktorë në takime publike si dhe krijuam një platformë komunikimi dixhitale me mbi 33000 vizitorë online.

 

  • Kemi kërkuar mendimin zyrtar të punuar 746 organeve të zgjedhura të njësive të qeverisjes vendore në total.
  • Kemi realizuar sondazhin më të madh kombëtar në historinë e vendit me 16000 të intervistuar për të përthithur mendimin e komuniteteve mbi reformën.

 

Paralelisht me Reformën Administrative-Territoriale, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Amerikane dhe gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë, kemi filluar procesin e rishikimit të të gjithë paketës legjislative dhe financiare të qeverisjes vendore, me synim thellimin e decentralizimit dhe fuqizimin e njësive të reja të qeverisjes vendore.