Postuar më: 16 Korrik 2014

Fjala e Ministrit në prezantimin e Projekt Planit të Veprimit kundër Korrupsionit

I nderuar Ambasadori Raunig,


Të nderuar të pranishëm,

 

Aktiviteti i sotëm është i një rëndësie të vecantë jo vetëm për rolin tim si Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit por për vetë faktin se sot përmbushim një nga angazhimet e Qeverisë shqiptare, atë të hartimit të dokumentit të politikave kundër korrupsionit brenda vitit të parë qeverisës.

Disa javë më parë Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, një vendim i merituar, pasqyrë e përpjekjeve të përbashkëta dhe një angazhimi të koordinuar mes veprimesh dhe reformash të nisura, ndër të tjera dhe në luftën kundër korrupsionit. Hartimi i një plani të tillë veprimi ishte një nga masat kyçe për zbatimin e udhërrëfyesit prioritetit nr. 3 i cili fokusohet në luftën kundër korrupsionit. Shumëkush mund të thotë apo mendojë se nuk luftohet korrupsioni me dokumente politikash apo matrica. Ndërkohë këto plane veprimi janë një mjet i domosdoshëm në krijimin e një tablo të qartë të masave konkrete që çdo institucion do të ndërmarrë dhe gjithashtu mundëson ndërthurjen e mireorganizimin e përpjekjeve kundër korrupsionit në shumë sektorë e fusharëkoordinimi i veprimeve do të jetë faktori kyç i mirëfuksionimit dhe i zbatimit të dokumentit që ju paraqesim sot.

Hapi i parë dhe konkret u hodh me zhvillimin e konferencës së nivelit të lartë kundër korrupsionit që u mbajt në nëntor të vitit të kaluar, aktivitet i cili shtroi rrugën për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare kundër Korrupsionit 2014-2017 dhe gjatë muajve të fundit, procesit të hartimit të Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2014-2017.

Nga të gjithë institucionet është kërkuar dhe demonstruar një angazhim konkret jo vetëm përmes punës së grupeve të posaçme të ngritura për hartimin e masave por dhe për të zbërthyer në mënyrë realiste dhe të matshme planet afatmesme dhe afatgjatë për të parandaluar dhe çrrënjosur fenomenet korruptive. Bashkëpunimi i ngushtë dhe bashkërendimi i punës me të gjitha institucionet solli produktin që kemi sot. Mendoj se puna intensive e kryer gjatë muajve, maj dhe qershor 2014 ka qenë një ushtrim i vlefshëm dhe për rrjetin e pikave të kontaktit në institucionet e ekzekutivit, atyre ligjzbatuese dhe organeve të nivelit vendor.

Por ky është vetëm fillimi i një procesi dinamik. Plani i Veprimit pasi të finalizohet përfundimisht,duke pasqyruar në të dhe sugjerime që do të dalin nga aktiviteti i sotëm, dhe pasi të miratohet nga Këshilli i Ministrave, ai do të monitorohet në baza 3 mujore. Plani s'mbetet këtu, në fund të çdo viti Plani i Veprimit do të rishikohet mbi cilësinë dhe mënyrën si është zbatuar dhe do të pasurohet me masa të reja dhe inovative.

Tashmë është koha për veprim, nevojitet angazhim maksimal nga të gjitha institucionet që në mënyrë të rakorduar, masat të mos mbeten thjesht premtime e matrica por të ketë arritje të matshme dhe me impakt rrënjësor për qytetarët shqiptarë. Ky plan veprimi do te shkojë paralelisht dhe me një seri reformash që mazhoranca po ndërmerr, sic është strategjia përreformën në sistemin gjyqësor.

Dokumenti i Planit të Veprimit do të ketë vlerë të vërtetë atëherë kur krahas veprimeve të paraqitura nga institucionet, mekanizmi i monitorimit të zbatimit të tij të fuksionojë siç duhet. Gjej vend këtu t'i bëj thirrje shoqërisë civile përmes organizatave të saj për të qenë sa më shumë aktive jo vetëm në pjesëmarrjen për realizimin e aktiviteteve ndërgjegjesuese dhe edukuese, por të luajë rolin e monitorueses mbi veprimet apo mosveprimet e institucioneve si dhe performancës së tyre për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.

Së fundmi, dëshiroj ta mbyll fjalën time me një falenderim të përzemërt për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Ambasadorin Raunig të cilët kanë qënë gjithmonë të gatshëm për të mbështetur Qeverinë shqiptare në rrugëtimin e saj për përmbushjen e prioriteteve.

 

Ju faleminderit!