Postuar më: 12 Nëntor 2015

Vlerësime pozitive për reformat e Qeverisë Shqiptare në Progres-raportin e Komisionit Evropian

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore njëherësh Koordinator kombëtar kundër korrupsionit:

Kam kënaqësinë të ndaj me ju sot dhe të përshëndes progres-raportin e sivjetshëm të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili thekson me nota pozitive arritjet e Shqipërisë brenda një viti.

Nëse do ta përmblidhja këtë raport në një fjalë, kjo do të reflektonte edhe atë çfarë Komisioneri Hahn tha, që Shqipëria është në rrugën e duhur.

Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, si një prej 5 prioriteteve të qeverisë shqiptare, ne lexojmë dhe vlerësojmë notat dhe frymën realiste me të cilën është shkruar progres-raporti, i cili jep një panoramë shumë të qartë për ecurinë e reformave të ndërmarra në kuadrin e luftës kundër korrupsionit deri tani, por edhe për nevojën e vazhdimit më tej të përpjekjeve për realizimin e objektivave dhe masave kundër korrupsionit.

Një prej zhvillimeve më të qarta në progres-raport nga Komisioni Evropian e cila përmendet në mënyrë të veçantë, është vlerësimi për përpjekjet tona në hartimin dhe miratimin e kuadrit strategjik në luftën kundër korrupsionit, e materializuar në një Plan të detajuar të Veprimit kundër Korrupsionit.

Ne, jemi të ndërgjegjshëm se, për të çuar para reformat dhe masat kundër korrupsionit kemi nisur si dhe me qëllim adresimin e rekomandimeve të progres-raportit, ndër të cilat përmendet krijimi i një historiku të qëndrueshëm të gjurmimit të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet, posaçërisht në nivelin e zyrtarëve të lartë, duhet së pari të përmbushet një prej objektivave madhorë pararendës që ka qeveria shqiptare, që është reforma në drejtësi.

Realizimi i kësaj reforme, do të na hapë dritën jeshile, jo vetëm për plotësimin e një sërë objektivash në luftën kundër korrupsionit, por do të lehtësojë gjithashtu edhe rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane.

Përsa i përket, qeverisjes vendore dhe reformës administrativo-territoriale, si një nga reformat dhe arritjet më të mëdha të qeverisë shqiptare, me kënaqësi konstatoj dhe vlerësoj opinionin pozitiv të shprehur në raport ku theksohet progresi i bërë me miratimin dhe fillimin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale, si dhe miratimin e strategjisë së decentralizimit.

Në frymën e rekomandimeve të progres raportit, qeveria ka filluar punën për adresimin e tyre dhe tashmë ka miratuar projektligjin e ri “Për vetëqeverisjen Vendore”, i cili ndodhet në Parlament për miratim brenda vitit 2015. Ndërkohë, që kemi në proces strukturimin e paketës financiare dhe administrative, si dhe kalimin e një sërë funksionesh nga qeverisja qendrore në atë vendore.

Mbetem i vendosur për të vijuar më tej me përmbushjen e angazhimeve dhe sfidave, si dhe pritshmërive që kanë shqiptarët, si dhe Bashkimi Evropian në funksion të një procesi sa më të plotë të integrimit evropian të Shqipërisë.

Ju faleminderit!