Postuar më: 22 Korrik 2014

Qeveria miraton projektin për ndarjen e re administrativo-territoriale

Deklaratë për media e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, dhënë sot, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi projektin për ndarjen e re administrativo – territoriale, sipas propozimit të bërë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar. Qëndrimi ynë për Reformën Administrativo – Territoriale është i qartë dhe i prerë, në mbështetje të propozimit të ardhur nga Komisioni. Projekti për ndarjen e re, me 61 bashki, të cilat kanë dalë pas një analize të detajuar për funksionalitetin e secilës, në bazë të kritereve të miratuara nga Komisioni për këtë qëllim.

Së bashku me relacionin dhe mendimin Pro të ndarjes, Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend të gjitha materialet shoqëruese që kanë të bëjnë dhe që lidhen me analizën funksionale të të gjithë bashkive të propozuara për hartën e re, si dhe me dokumentacionin e plotë që lidhet me procesin e konsultimeve, të kryer në të gjithë Shqipërinë. Kjo ishte një punë kolosale që u ngarkua nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale. Ne jemi gati tashmë, me gjithçka, për t’i dorëzuar Komisionit, në mënyrë që të vazhdojë procesi i vendimmarrjes në seancë plenare për Hartën e re Administrative – Territoriale.

 

Vërejtjet e PBDNJ-së u morën në konsideratë? Ata kërkuan publikisht që të rishikoni pozicionin sa i përket Himarës.

Sa i përket Himarës, vendimi ynë ishte i qartë:

Himara është 1 nga 58 zonat funksionale që janë krijuar në Shqipëri. Për ne Himara është pjesë e Shqipërisë, ashtu siç janë zonat funksionale nga Shkodra deri në Konispol, përveç 3 zonave minoritare, që për shkak të kritereve që ne vetë kemi vendosur, i kemi ruajtur përkatësinë minoritare. Himara është 1 pjesë e 58 zonave funksionale dhe është krijuar për t’i krijuar një funksionalitet si bashki e ardhshme.

Qëndrimi ynë për këtë ka qenë dhe mbetet i qartë.

Faleminderit!