Postuar më: 06 Mars 2017

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore merr pjesë në publikimin e rezultateve të projektit “Vlerësimi i Hapësirave për Korrupsion në Legjislacionin Shqiptar"

Tiranë, 6 Mars, 2017-  Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore njëherësh Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit ishte sot i pranishëm në publikimin e rezultateve të projektit “Vlerësimi i Hapësirave për Korrupsion në Legjislacionin Shqiptar”, i zbatuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore. Vlerësimi mundëson analizimin dhe shqyrtimin e draft vendimeve dhe ligjeve duke evidentuar hapësirat dhe risqet potenciale që passjellin korrupsion.

Ekspertët kanë bërë vlerësimin e 62 akteve ligjore dhe rezulton se në secilin prej tyre gjendet të paktën një nga problematikat e trajtuara në manualin e hapësirave për korrupsion: gjuha e përdorur; koherenca e draftit dhe ndërveprimi i tij me legjislacionin ekzistues; mënyra e vendosjes dhe përkufizimit të detyrave të autoriteteve publike.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore njëherësh Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit z.Bledi Çuçi ndërsa vlerësoi se lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet për shoqërinë shqiptare ndau angazhimin e qeverisë për ngritjen e mekanizmave që ngushtojnë hapësirat për korrupsion që në procesin e draftimit të legjislacionit.

“Po mendojmë të konsolidojmë një metodologji unike dhe një trup të specializuar ekspertësh ligjor për vlerësimin e hapësirave për korrupsion në legjislacionin tonë. Ky është një objektiv strategjik, i përfshirë në dokumentat e politikave të qeverisë për rritjen e transparencës dhe parandalimin e korrupsionit. Menduam të bëjmë këtë pilotim, pikërisht për të konsoliduar këtë strukturë që do të merret me vlerësimin e hapësirave që mund të krijohen, edhe në mënyrë të pavullnetshme në legjislacion për korrupsion. Me të marrë rezultatet e pilotimit, do të nisim procesin e inkuadrimit të këtij filtri që rrit ndjeshëm cilësinë e projektakteve brenda procedurave për hartimin e legjislacionit që kemi si qeveri. Se ku do jetë dhe si do jetë kjo strukturë kjo është një vendimarrje e qeverisë ”, u shpreh ai.

Ministri Çuçi nënvizoi se të gjitha gjetjet e studimit do të pasqyrohen në ndryshimet përkatëse në legjislacionin shqiptar. “Është një proces mjaft i mirë dhe së bashku me angazhimin e qeverisë pë modernizimin e shërbimeve ndaj publikut përbëjnë dy nga shtyllat kryesore për parandalimin e korrupsionit. Jemi në rrugë të mbarë për të strukturuar procesin e parandalimit të korrupsionit. Duhet të parandalojmë që në burim hapësirat e korrupsionit për të evituar probabilitetin e abuzimit në zbatim” vijoi ai.

Ambasadorja e Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, znj.Dewi Van Der Weerd theksoi se lufta ndaj korrupsionit mbetet një prioritet për Shqipërinë në kuadër të plotësimit të 5 kritereve kyçe për përparim në rrugën integruese drejtë Bashkimit Europian.