Postuar më: 28 Shkurt 2017

Ministri Çuçi takon bashkëraporterët e KiE, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly

Bashkë-raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Andrej Hunko nga Gjermania (Grupi Parlamentar i së Majtës së Bashkuar), z. Joseph O’Reilly nga Irlanda (Grupi Parlamentar i Partive Popullore Europiane) dhe znj. Delphine Freymann, Sekretare e Komisionit të Monitorimit të AP të KiE-së, zhvilluan sot një vizitë fakt-mbledhëse me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore njëkohësisht edhe Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, z.Bledi Çuçi.

Temë e diskutimit ishin angazhimet e Shqipërisë në zbatimin e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare për Shqipërinë ku ndër të tjera u diskutua për hapat konkretë dhe jetësimin e reformave themelore të ndërmarra deri më sot në vendin tonë, për të cilat Ministri Çuçi shprehu angazhimin maksimal për çuarjen e tyre përpara.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, z.Çuçi i njohu bashkëraporterët me hapat në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në parandalimin e këtij fenomeni, përmes modernizimit të shërbimeve. Ministri veçoi gjithashtu Strategjinë Ndersektoriale kundër Korrupsionit si një kuadër madhor i cili sjell nën një ombrellë aktorë institucional qendror e të pavarur dhe agjencitë ligjzbatuese për zbatimin e masave konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Z. Çuçi nënvizoi se Reforma në Drejtësi është jetike dhe rruga e vetme për të luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Ministri Çuçi shprehu keqardhje që opozita po tenton të bllokojë përmes protestës Komisionet për ngritjen e organeve të Vetting-ut që janë mekanizmi themelor për zbatimin e reformës.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi reformën zgjedhore ku ndër të tjera Ministri Çuçi deklaroi se adresimin e kërkesave për zgjedhje të lira dhe me standarde, opozita duhet t’a bejë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, pa e bojkotuar atë.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore njohu z. Andrej Hunko dhe z.Joseph O’Reilly edhe me arritjet konkrete në fushën e qeverisjes vendore dhe ndau me ta lajmin e mirë se së shpejti pritet të miratohet ne Kuvend edhe guri tjetër i themelit të kësaj reforme, ligji i ri për financat vendore.

Nga ana e tyre, bashkëraporterët e cilësuan takimin me z.Çuçi të një rëndësie të veçantë, pasi lufta ndaj korrupsionit është themeli për ndërtimin e shtetit ligjor, forcimin e të drejtave të qytetarëve dhe rritjen e besimit të tyre ndaj institucioneve.

Në përfundim, Ministri Çuci vlerësoi vizitën e bashkëraporterëve dhe procesin reciprok të monitorimit të përmbushjes së angazhimeve tona si shtet anëtar i Këshillit të Evropës.