Postuar më: 25 Janar 2017

Lufta ndaj korrupsionit, përmirësim i ndjeshëm në raportin e Transparency International

Shqipëria vijon të shënojë rekorde pozitive në luftën kundër korrupsionit, të cilat u dokumentuan edhe në raportin e fundit të Transparency International mbi indeksin e perceptimit ndaj korrupsionit për vitin 2016. Ky raport e rendit Shqipërinë në vendin e 83 nga 176 vende që janë marrë në shqyrtim në të. 
Shqipëria është ngjitur nga vendi i 166-të ku ishte në vitin 2013, në vendin e 83-të në vitin 2016, pra është ngjitur 33 vende, duke përfshirë ngjitjen prej 5 vendesh nga raporti i një viti më parë. 
Shqipëria, së bashku me Kosovën kanë shënuar përmirësimin më të ndjeshëm në rajon, vendi ynë është vlerësuar më 39 pikë.
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore njëherësh Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, z.Bledi Çuçi vlerësoi se raporti dëshmon se reformat e qeverisë po vazhdojnë të japin rezultate në çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri dhe, për pasojë, po vazhdojnë të rrisin besimin e qytetarëve  shqiptarë ndaj institucioneve shtetërore. 
“ Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se kemi ende shumë për të bërë. Por, rezultatet shumë inkurajuese të dokumentuara nga Transparency International dëshmojnë se angazhimi i qeverisë shqiptare për ta çrrënjosur korrupsioni dhe qasja që kemi zgjedhur për ta fituar këtë luftë, po funksionon”, u shpreh z.Çuçi.
Z.Çuçi nënvizoi se qeveria ka ndërmarrë në këto 3 vite një sërë reformash si reforma e shërbimeve publike dhe reforma administrativo-territoriale, të cilat e modernizojnë shtetin dhe, për pasojë, ngushtojnë hapësirat për korrupsion. 
Ministri Çuçi nënvizoi edhe një herë se sistemi i drejtësisë nuk ka bashkëpunuar seriozisht dhe me të gjithë fuqinë e tij në përpjekjet për ta ndëshkuar korrupsionin në Shqipëri.
“Zbatimi i reformës në drejtësi është një domosdoshmëri historike për t’i konsoliduar arritjet e këtyre tri viteve të fundit në luftën kundër korrupsionit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë të të gjithë atyre që angazhohen në afera korruptive. Në mënyrë të veçantë krijimi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit do ta rrisin në mënyrë drastike forcën goditëse të shtetit kundër korrupsionit”, theksoi z.Çuçi.
Raporti i Transparency International është i fundit ndër raportet ndërombëtarë që vlerësojnë përpjekjet e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit. Në dhjetor edhe raportii BERZH ‘Jeta në Tranzicion’ 2016 nga 29 shtete të anketuara e renditi Shqipërinë si vendin e aprë për nga niveli i rënies së perceptimit të korrupsionit si problem në shoqëri në vitet e fundit.